Ferit Hoxha: Gërvallës iu mohua fjalimi në gjuhën shqipe
Ambasadori i Shqipërisë në OKB, Ferit Hoxha, ka kundërshtuar deklaratat e ambasadorit rus në OKB, Vasily Nebenzya, që tha se nuk është e vërtetë se ministres së Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz, iu mohua t’i adresohej Këshillit të Sigurimit në gjuhën shqipe.
Rusia aktualisht e ka Presidencën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Hoxha tha se delegacioni i Kosovës ka bërë kërkesë me shkrim që të adresohej në gjuhën shqipe, dhe se me shkrim kërkesa është refuzuar nga Presidenca.
“Duhet qartësuar disa gjëra se i përket çështjes së gjuhës në Këshill e në këtë takim. Dy anëtarë të Këshillit mbështetën kërkesën formale të bërë nga Kosova për të folur në gjuhën që zgjedhin. Siç e dimë rregulli 44 flet për përfaqësuesin që të jetë në gjendje të mbajë fjalim në gjuhë tjetër nga ato që njihen në Këshill, e të ofrohet përkthim në një nga ato gjuhë. Kjo kërkesë është dorëzuar te gjitha shërbimet e caktuara, është dorëzuar me shkrim. Rusia, që e ka Presidencën, kundërshtoi po ashtu me shkrim. Ne nuk ishim të kënaqur sigurisht dhe mendojmë se Presidenca nuk u tregua paanshme në rolin e saj, por në mënyrë që të mos vihet Këshilli në pozitë të vështirë ne shkuam siç vendosi Presidenca, ndonëse shkon kundër rregullave”, tha Hoxha.
Hoxha ka thënë se ka pasur raste shumë herë vitet e kaluara ku nga përfaqësuesit e delegacioneve u kërkua të flisnin në Këshill në gjuhën amtare të tyre.
“Të thuani tash se është dashur të insistoni, edhepse nuk e di se sa herë duhet të insistohet, është çmenduri. Ne falënderojmë zv. kryeministren e Kosovës, znj. Gërvalla-Schwarz, për mirëkuptimin dhe respektin që tregoi ndaj Këshillit, duke mos e futur në pozitë të vështirë për të votuar për një çështje të tillë. Kjo është e vërteta e vetme”, tha Hoxha.
Ambasadori i Rusisë në Kombet e Bashkuara, Vasily Nebenzya, ka mohuar pretendimet e ministres së Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, se nuk është lejuar të flasë në gjuhën shqipe. Ai tha se nuk ishte informuar se ajo donte të fliste në shqip.
Average Rating