Këshilli i Ambasadorëve Amerikanë: Shpresojmë që Kosova të hyjë në BE e NATO

Read Time:2 Minute, 48 Second

Këshilli i Ambasadorëve Amerikan ka botuar këto ditë një raport pas vizitës fakt-mbledhëse në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, ambasadori Philip Hughes, përfaqësuesi i këtij grupi që mbledh rreth vetes ambasadorë jo të karrierës, thotë se këto tre shtete të Ballkanit kanë bërë përparim të jashtëzakonshëm, por ato vazhdojnë të përballen me sfida nga ndërhyrjet politike të fqinjëve të tyre apo në rastin e Shqipërisë nga kriminaliteti dhe korrupsioni dhe mungesa e një demokracie të mirëfilltë.

Hughes po ashtu foli për vendimin e Shteteve të Bashkuara për ta shpallur person non-grata ish Presidentin e Shqipërisë, Sali Berisha.

I pyetur se cilat janë gjetjet e tyre pas vizitës fakt-mbledhëse në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni të Veriut, ambasadori Hughes tha mes tjerash se i kanë bërë përshtypje aspirata e këtyre shteteve për t’u bërë pjesëmarrës të plotë të komunitetit Euro-Atlantik dhe përparimit që kanë bërë për të realizuar këto qëllime.

“Na ka bërë përshtypje të thellë përparimi që Maqedonia e Veriut dhe Kosova kanë bërë që nga shpallja e pavarësisë së tyre dhe përparimin që ka bërë Shqipëria, që nga përmbysja e regjimit brutal të Enver Hoxhës dhe rilindja si shtet demokratik. Njëkohësisht, na bëri përshtypje ndikimi i madh i fqinjëve në politikat e këtyre tre shteteve – rolin e madh që Serbia luan në skenën politike të Kosovës, rolin e madh që Bullgaria luan në skenën politike të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipëria e cila, siç e kuptuam, ka detyrim kushtetues të përkujdeset për mirëqenien e shqiptarëve jashtë kufijve të saj. U befasuam me aspiratën e këtyre shteteve për t’u bërë pjesëmarrës të plotë të komunitetit Euro-Atlantik dhe përparimit që kanë bërë për të realizuar këto qëllime. Njëkohësisht, në secilin rast, ato kanë pengesa për integrim në BE dhe në rastin e Kosovës edhe në NATO. Në rastin e Shqipërisë, çështjet e korrupsionit dhe kriminalitetit në njërën anë dhe problemet me një qeverisje të mirëfilltë demokratike nga anën tjetër, janë pengesa të shkaktuara nga vetë klasa politike e , Shqipërisë, që ky vend duhet t’i tejkalojë”, ka deklaruar ai.

Ndërkohë ambasadori Philip Hughes mes tjerash ka thënë se shpreson që edhe Kosova një ditë të të anëtarësohet në BE dhe në NATO.  Duke folur për rolin e rajonit të Ballkanit ai theksoi se ky rajon duhet të ketë vëmendje politike të vazhdueshme  SHBA-të.

“Mendoj se mbetet shumë i rëndësishëm, sepse është një rajon që po bën përparim demokratik dhe ekonomik. Shpresoj që edhe Kosova një ditë të kalojë pragun dhe të anëtarësohet jo vetëm në BE, por në NATO për ta plotësuar praninë e aleancës në këtë pjesë të botës. Por nga përvoja ime, Shteteve të Bashkuara shpesh u duhet të përballen me çështje urgjente, dhe kjo shkakton vonesa në trajtimin e çështjeve të tjera të rëndësishme. Gjatë viteve ’90, konfliktet në Ballkan ishin kriza të menjëhershme. Tani ato nuk janë të tilla, por mund të bëhen sërish pjesë e një krize të menjëhershme, nëse konflikti në Ukrainë ka një përfundim të keq për ukrainasit, ose nëse Rusia vazhdon agresionin, apo në rastin ekstrem, synon të vërë në provë Nenin 5 të traktatit të NATO-s, në përpjekje për të thyer aleancën. Prandaj ky rajon duhet të ketë vëmendje politike të vazhdueshme dhe përparësi nga Shtetet e Bashkuara”, ka deklaruar ambasadori Hughes.

Happy
Happy
0 %
Sad
Sad
0 %
Excited
Excited
0 %
Sleepy
Sleepy
0 %
Angry
Angry
0 %
Surprise
Surprise
0 %

Average Rating

5 Star
0%
4 Star
0%
3 Star
0%
2 Star
0%
1 Star
0%

Leave a Reply

Previous post <strong>Nesër do të protestohet dhe e kam vendosur me shkue me ju bashkangjitë protestave</strong>
Next post Aleksandër Vuçiq: Pres lajme të këqija për ne, do ta ndryshojmë qasjen në dialog