Kurti jep super lajm për Luginën: Në vitin 2024 do të ndajmë 3 milion euro për shqiptarët e Luginës
Kryeministri Kurti ka dhënë lajmin e shumëpritur për Luginën, e që është se nga viti 2024 mbështetja financiare përveçse do të vazhdojë, ajo do jetë më e madhe për 50%. Në buxhetin e vitit 2024 kemi paraparë tre milionë euro për Luginën e Preshevës, një milion më shumë sesa sivjet.
Postimi i plotë i Albin Kurtit
Shqiptarët e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit tani kanë një Qeveri që kujdeset për ta, pikërisht atëherë kur shteti serb i injoron e i diskriminon qëllimshëm. Një Qeveri që synon përmirësimin e gjendjes së shqiptarëve në Serbi, në kohën kur shteti serb synon një Serbi pa shqiptarë.
Për herë të parë që prej pavarësisë së Republikës sonë, Presheva, Medvegja dhe Bujanoci kanë një linjë të veçantë dhe të rregullt buxhetore në Buxhetin Vjetor të Kosovës. Deri më tani gjatë qeverisjes sonë kemi ndarë mbi dy milionë euro mbështetje financiare për Luginën e Preshevës, pa llogaritur mbështetjen prej gjysmë milioni euro në përballjen e tre komunave me shumicë shqiptare me pandeminë Covid-19, gjatë qeverisë sonë të parë në vitin 2020. E kur vërshimet e vitit 2021 goditën Komunën e Preshevës, ndamë 100 mijë euro mbështetje për tejkalim dhe rikuperim të dëmeve.
Siguruam tekstet mësimore në gjuhën shqipe për katër mijë nxënës të shkollës fillore dhe 950 parashkollorë. Financuam bursa studimi për 107 studentë shqiptarë. Për ata studentë që studiojnë në Kosovë, i lehtësuam procedurat administrative duke ulur pragun e dëshmisë për qarkullim financiar nga 2500 euro në vetëm 500 euro. Ndërkaq me rregulloren e re të Ministrisë së Drejtësisë për Procedurën e Përcaktimit dhe Verifikimit të Reciprocitetit, shqiptarëve të Luginës së Preshevës do t’i mundësohet realizimi i të drejtave të pronësisë mbi pronat e paluajtshme në Kosovë.
Vitin e kaluar, nënshkruam memorandum bashkëpunimi me Këshillin Kombëtar Shqiptar me qëllim përkrahjen financiare për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të shqiptarëve, ruajtjen, kultivimin e gjuhës, artit, kulturës e identitetit shqiptar. Përmes këtij bashkëpunimi deri më tani janë mbështetur 75 projekte e nisma të ndryshme.
Çështja e shqiptarëve në Serbi, diskriminimi shtetëror, shkelja e të drejtave të pakicave kombëtare dhe pasivizimi i adresave, për herë të parë u ngritën si temë diskutimi në Senatin Amerikan. Seancës dëgjimore në Senat të muajit maj, i parapriu vizita e delegacionit të përfaqësuesve shqiptarë në kryeqytetin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe takime me senatorë në mars, vizitë kjo që u mbështet me fonde të ndara nga Qeveria jonë në muajin shkurt. Financiarisht e mbështetëm edhe fushatën avokuese të përfaqësuesve shqiptarë në Parlamentin Evropian, në qershor të këtij viti.
E mbështetja financiare vitin e ardhshëm përveçse do të vazhdojë, ajo do jetë më e madhe për 50%. Në buxhetin e vitit 2024 kemi paraparë tre milionë euro për Luginën e Preshevës, një milion më shumë sesa sivjet.
Average Rating