
Presidenti i Malit të Zi mbërrin sonte në Kosovë
Dy herë brenda pesë muajve, presidenti i malit të Zi, Milo Gjukanoviq, vjen për vizitë zyrtare në Kosovë.
Presidenti i shtetit fqinj, pritet të mbërrijë në Prishtinë, sonte në orët e mbrëmjes.
Policia e Kosovës, gjatë kësaj vizite do të kujdeset për ofrimin e sigurisë dhe mirëmbajtjen e rendit dhe qetësisë publike, gjatë kohës së lëvizjes së eskortës dhe qëndrimit të delegacionit shtetëror në Kosovë.
“Për të mundësuar qarkullim të lirë të eskortës zyrtare nën përcjellje dhe sigurim sipas itinerarit të
lëvizjes, Policia e Kosovës do të bëjë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut (në intervale të shkurta kohore), të disa segmenteve rrugore, ku pritet të kalojë eskorta, si dhe në lokacione të caktuara ku parashihen të realizohen aktivitete”, deklaron policia.
Forcat e rendit sqarojnë se për të mundësuar qarkullimin dhe riorientimin e trafikut në rrugë alternative në lokacionet ku pritet të kalojë eskorta, do të angazhohen zyrtarë policorë të njësiteve relevante.
“Andaj Policia e Kosovës kërkon mirëkuptim të plotë nga qytetarët dhe pjesëmarrësit tjerë në trafik”.
Pesë muaj më parë, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani pati ftuar për takim homologun Gjukanoviq për vizitë zyrtare në Kosovë.
Ai ishte pritur me nderimet më të larta shtetërore.