Presidenti serb, Vuçiq i kërkon ambasadorit amerikan Hill zgjidhje kompromisi
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se biseda me ambasadorin Christopher Hill për situatën pas raundit të fundit të bisedimeve në Bruksel ishte konkrete dhe thelbësore, ndërsa përsëriti qëndrimin e Serbisë, e cila vazhdon të kërkon një zgjidhje kompromisi.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka biseduar sot me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd, Christopher Hill për situatën aktuale pas raundit të fundit të dialogut ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, të mbajtur javën e kaluar në Bruksel.
“Bisedë konkrete dhe kuptimplotë me ambasadorin Hill për situatën pas raundit të fundit të bisedimeve në Bruksel. E ritheksova qëndrimin konsistent të Serbisë, e cila vazhdon të bëjë të gjitha përpjekjet për të gjetur një zgjidhje kompromisi, për të ruajtur paqen dhe stabilitetin”, ka shkruar Vuçiq në profilin e tij në Instagram.
Sipas njoftimit nga Presidenca serbe, Vuçiq i ka shpjeguar ambasadorit Hill qëndrimet e Serbisë që ai përfaqëson në dialogun me Kosovën, duke marrë pjesë në të në mënyrë të përgjegjshme dhe konstruktive.
“Serbia ka qasje serioze ne gjetjen e një zgjidhjeje për krizën aktuale të shkaktuar nga lëvizjet e njëanshme të Prishtinës”, tha Vuçiq, thuhet në njoftim.
Presidenti Vuçiq i ka përcjellë ambasadorit Hill se serbët që jetojnë në Kosovë kërkojnë pa kushte formimin e Asociacionit e komunave me shumicë serbe.
“Duke theksuar tensionet që ekzistojnë në Kosovë, presidenti Vuçiq tha se është e rëndësishme që Prishtina t’i përmbahet marrëveshjes që forcat speciale të Kosovës të mund të lëvizin në veri vetëm me pëlqimin e NATO-s dhe kryetarëve të katër komunave ku jetojnë serbët”, theksoi Vuçiq.
Takimi Vuçiq-Hill vjen në prag të vizitës në Prishtinë dhe në Beograd të përfaqësuesit special të Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, dhe të dërguarit special të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Besohet se qëllimi i vizitës është vazhdimi i diskutimeve në mënyrë që të gjendet një zgjidhje lidhur me lëshimin e dokumenteve hyrëse-dalëse për ata që kanë letërnjoftime serbe dhe regjistrim të automjeteve për qytetarët në veri të Kosovës.
Beogradi zyrtar shpreh frikën se zbatimi i vendimeve për riregjistrimin e automjeteve dhe leternjoftimeve do të çojë në përshkallëzim të mëtejshëm të tensioneve. Gjithashtu, Beogradi thekson se formimi i Asociacionit e komunave me shumicë serbe do të ishte një hap i domosdoshëm për zgjidhjen e shumë problemeve te serbëve në Kosovë.
Pas raundit të dialogut të javës së kaluar në Bruksel, presidenti Vuçiq gjatë fjalimit të tij para publikut të dielën tha se Serbia do të kërkojë një zgjidhje kompromisi në 10 ditët e ardhshme.
Average Rating