REZISTENCA HEROIKE DHE FLIJIMI I FAMILJES JASHARI- Liria nuk ka çmim

Read Time:4 Minute, 18 Second

Nga MSc. Agim Aliçkaj

         Për heroin tonë kombëtar, komandantin legjendar Adem Jashari është folur e do të flitet, është shkruar e do të shkruhet. Vepra e tij heroike do të vlerësohet, festohet dhe do të studiohet me shekuj nga populli shqiptar por edhe nga popuj të tjerë të botës, të cilët ballafaqohen me shtypje, robëri dhe padrejtësi të formave të ndryshme.

         Lufta për liri dhe rezistenca e popullit shqiptar kundër pushtuesit fashist serb ka filluar në momentin kur këmba serbe ka shkelë në tokat e shtrenjta arbërore. Në dalje e sipër nga pushtimi i egër 500 vjeçar turk, në pamundësi për të krijuar ushtri të rregullt dhe të armatoset si duhet, ky popull i shumëvuajtur por heroik, ka luftuar me breca, thika e sopata, me pak armë e municion të siguruara me shumë vështirësi. I organizuar në grupe familjesh, fshatrash dhe kaqakësh nëpër qeta të vogla, kurrë nuk ka pushuar së luftuari në mbrojtje të familjeve, shtëpive dhe tokave të veta stërgjyshore.

          Dalja publike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës më 28 Nëntor të vitit 1997, shënon kthesë të madhe në luftën për liri kundër pushtuesit serb. Për herë të parë, që nga Liga e Prizrenit e vitit 1878, filloi një rezistencë e organizuar, me formacione ushtarake e cila u shëndrrua në një ushtri të mirëfillët kombëtare. Padyshim se, meritat më të mëdha për këtë i takojnë komandantit Adem Jashari dhe familjes së tij.

         Ai i tregoi mbarë botës se liria nuk ka çmim. Në vijë me thënien e njohur të amerikanit Patrick Henry “Give Me Liberty, or Give Me Death” ( Më Jep Lirinë, ose Më Jep Vdekje) ai dhe familja e tij, të rrethuar nga të gjitha anët nga ushtria terroriste serbe e pajisur me armatim të rëndë, luftuan burra, gra dhe fëmijë, pa ju trembur syri deri në vdekje, në mbrojtje të familjes, shtëpisë dhe të lirisë së mbarë popullit shqiptar.

          Me flijimin e Ademit dhe 56 anëtarëve të familjes Jashari, shpërtheu vullkani i pashueshëm i lirisë, flakët e të cilit e përfshinë bishën e egër serbe për ta shkulur përgjithmonë nga tokat shqiptare të Kosovës. I gjithë kombi shqiptar u ngrit në këmbë. Vërshuan vullnetarët nga të gjitha Trojet shqiptare, vërshuan mërgimtarët nga Evropa, Amerika dhe vendet e tjera të botës. Djemt më të mirë shqiptaro-amerikanë krijuan brigadën e lavdishme Atlantiku dhe u nisën për në vendlindje, në mbrojtje të lirisë.

         Në përkrahje të luftës për liri në Kosovë dhe afirmimit të çështjes kombëtare shqiptare në Amerikë vazhdonte pandërpre aktiviteti lobist i Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane nën udhëheqjen profesionale të ish-Kongresmenit me prejardhje arbëreshe Joseph DioGuardi dhe Këshilltares për Çështje Ballkanike Shirley Cloyes DioGuardi. Me punë të palodhëshme, dyert e Washingtonit ishin hapur për Kosovën liridashëse dhe ishin mbyllur për shtetin kriminal Serb të udhëhequr nga kasapi i Ballkanit Sllobodan Milosheviq.

         Liga ishte organizata e parë shqiptaro-amerikane e cila doli haptas në përkrahje të UÇK-së me deklaratën e saj publike në fillim të muajit Shkurt 1998. Organizoi protesta të mëdha në përkrahje të saj në Washington para Shtëpisë së Bardhë dhe Capitol Hill-it ku morën pjesë shumë Senator dhe Kongresmen të njohur amerikan. Në dëgjimin e organizuar nga Kongresi Amerikan, në Mars të vitit 1998, pak ditë pas vrasjes së familjes Jashari u konfrontua dhe u hudh poshtë përpjekja e Ambasadorit Gelbard për ta shpallur UÇK-në organizatë terroriste. Me forcën e argumenteve dhe me fakte, nuk mund të shpalleshin terrorist ata që mbroheshin dhe flijoheshin në shtëpitë e veta si familja Jashari !

         Fati dhe ekzistenca e Kosovës dhe kombit shqiptar është e lidhur ngushtë me Amerikën. Evropa nuk ka as kaqik as vullnet për ta kundërshtuar hegjemonizmin dhe  ekspansionizmin ruso-serb. Për më keq, shumë shtete evropiane të helmuara nga propaganda shoviniste serbe dhe të varura nga gazi rus, kanë formuar qëndrime paragjykuese dhe nënçmuese ndaj kombit shqiptar në baza nacionale dhe fetare.           

         Vetëm rezistenca e popullit shqiptar me përkrahjen e Amerikës e ndalon turrin e Serbisë dhe Rusisë në Ballkan. Interesat strategjike amerikane përputhen plotësisht me interesat strategjike shqiptare. Edhe kur ndonjë diplomat apo ambasador amerikan nuk mban qëndrimin e drejtë, për shkak të interesave gjeostrategjike, është Kongresi i cili i peshon më mirë interesat dhe sigurinë nacionale amerikane. 

          Në luftën shekullore kundër okupatorit serb, Komandanti legjendar Adem Jashari me familje dhe shumë luftarë tjerë të lirisë luftuan dhe ranë në altarin e lirisë për të mos vdekur kurrë. Ata e dhanë jetën për Kosovën, Shqipërinë dhe të gjitha Trojet Tona. Ata na lanë amanet ta vazhdojmë veprën e tyre të shenjtë, të mos ja lëshojmë asnjë pëllëmbë tokë okupatorit serb dhe tjerëve, ta vazhdojmë rezistencën deri në mundjen përfundimtare të Serbisë shoveniste. 

         Pranimi i çdo marrëveshjeje që cenon sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës do të ishte shkelje e gjakut të tyre dhe tradhti kombëtare.

Happy
Happy
0 %
Sad
Sad
0 %
Excited
Excited
0 %
Sleepy
Sleepy
0 %
Angry
Angry
0 %
Surprise
Surprise
0 %

Average Rating

5 Star
0%
4 Star
0%
3 Star
0%
2 Star
0%
1 Star
0%

Leave a Reply

Previous post <strong>3 Marsi 2023 sh<a>ë</a>noi triumfin e Bashës dhe ndarjen e Partisë Demokratike nga Tranzicioni</strong>
Next post Bekim Jashari: Luftën që fituam me gjak nuk guxojmë ta humbim sot në tavolinë