Temë diskutimi në KS të OKB-së ishte edhe sulmi në Banjskë dhe Asociacioni
Në mbledhje e KS foli edhe Samuel Zhbogar, ambasadori i Sllovenisë në OKB. Ai ka thënë se Sllovenia e mbështet procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
Ai në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së kushtuar Kosovës theksoi se pa dialog nuk asnjë alternativë tjetër për normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve.
“Prishtina dhe Beogradi duhet të implementojnë me prioritete të gjitha marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut.
Normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë shkon me ofrimin e një mjedisi të sigurt e përparimtar për serbët në Kosovë”, ka thënë Zhbogar.
Edhe ambasadori i Francës në OKB, Nicolas de Riviere, tha se duhet urgjentisht që të ketë normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. “Kjo do të sigurojë stabilitet në rajon dhe është një kusht i pashmangshëm për bashkangjitjen në Evropë që e kanë zgjedhur të dyja vendet”, tha ai.
De Riviere tha se marrëveshja e arritur mes dyja vendeve para një viti është më ambiciozja dhe duhet të sigurohet zbatimi i saj.
“Franca mirëpret veprimet që janë marrë nga dyja palët, përkushtimin nga ana e Serbisë për njohjen e targave në fundin e vitit të kaluar, por edhe zbatimin e vendimin për Manastirin e Deçanit nga ana e Kosovës. Këto janë lëvizje inkurajuese”, tha Rioviere duke kërkuar lëvizje drejt formimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.
Edhe përfaqësuesi i Rusisë në OKB, Vasily Nebenzia, tha se situata në Kosovë dhe rajon është shumë shqetësuese derisa vazhdoi që Kosovën mos ta trajtoj si shtete, por si të ashtuquajtur.
“Situata vazhdon të përkeqësohet”, ka thënë duke akuzuar kryeministrin Albin Kurti, i cili sipas Rusuisë, po mbështetet nga ShBA.
E Përfaqësuesja e UNMIK-ut Caroline Ziadeh kërkoi të dalin para drejtësisë përgjegjësit e agresionit të 24 shtatorit.
“Vazhdoj ta theksoj kërkimin e përgjegjësisë për incidentin në Banjskë që është një incident shumë serioz i sigurisë. Kjo është edhe çështje gjyqësore, por edhe domosdoshmëri politike, në mënyrë që t’u ikim rasteve të tilla që më të mos përsëriten”, ka thënë Ziadeh, e cila gjithashtu kërkoi formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
E ambasadori britanik në OKB tha se shteti i tij angazhohet për forcimin e shtetit të Kosovës. “Ne jemi me përpjekjet e qeverisë për të përforcuar zbatimin e ligjit, për pronat nga viti 2016 në Deçan. Po ashtu jemi mbështetës të aspiratave edhe për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës”, tha ai.
Të dyja vendet, sipas tij, duhet të jenë të angazhuara për formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. “Mungesa e një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e raporteve Kosovë – Serbi, ka implikime negative për rajonin”, tha ai.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka vazhduar me propagandën e tij në Këshillin e Sigurimit, teksa ka deklaruar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti po i diskriminon serbët në Kosovë.
Gjatë mbledhjes së KS të OKB-së, ku po diskutohet për raportin e rregullt gjashtëmujor të misionit të OKB-së në Kosovë, Vuçiq tha se “Kurti po i shkakton regjim komunitetit serb” dhe për këtë, sipas tij, “po shpërblehet nga bashkësia ndërkombëtare”.
Ai tha se vendimi i fundit i autoriteteve të Kosovës ua ka vështirësuar jetën qytetarëve të komunitetit serb, pasi pensionistët dhe punëtorët e arsimit dhe të shëndetësisë nuk po mund t’i marrin pagat nga Serbia.
Sipas presidentit serb as pas 11 vjetësh që nga nënshkrimi i marrëveshjes me Kosovën, me ndërmjetësim të BE-së, nuk janë realizuar premtimet, dhe sipas tij kjo dëshmon “paaftësinë e BE-së për t’i lëvizur gjërat”.
Sa i përket procesit të votimit të djeshëm për shkarkimin ose jo të kryetarëve të katër komunave në veri të Kosovës, Vuçiq ka thënë se bojkotimi i votimeve nga ana e serbëve ka qenë i arsyeshëm, pasi sipas tij është bërë rritja artificiale e numrit të votuesve shqiptarë në muajt e fundit në komunat veriore.
Presidentja Vjosa Osmani në fjalimin e saj në Këshillin e Sigurimit në OKB, ka përmendur edhe historinë e Vasfije Krasniqit Goodman dhe të Shyhrete Tahiri Sylejmanit, të dhunuara gjatë luftës.
Osmani para presidentit serb Aleksandar Vuçiq ka treguar se Krasniqi ishte vetëm 16-vjeçare kur u dhuna nga forcat e Sllobodan Millosheviqit. “Sot me mua është edhe Vasfije Krasniqi Goodman, e cila ishte vetëm 16-vjeçare kur u dhunua jo vetëm një herë, por dy herë, nga forcat e Millosheviqit. Ata donin ta shkatërronin dhe t’ia vrisnin shpresën. Për këtë arsye ata pamëshirshëm zgjodhën një prej mjeteve më të rënda të luftës – dhunimin”, tha ajo.
Ani pse ka jetuar një jetë të rëndë, Vasfije Krasniqi siç tha Osmani, lulëzoi për të nisur me vrull misionin e saj për të rritur ndërgjegjësimin globalisht për krimin brutal të dhunës seksuale në luftë dhe për t’u bërë e dërguara ime speciale mbi dhunën seksuale gjatë luftës.
Në këtë mision fisnik, asaj i bashkohet edhe Shyhrete Tahhiri Sylejmani, e cila ishte gjithashtu pjesë e delegacionit në Nju Jork.
“Në vitin 1999, edhe ajo ishte shënjestër e këtij krimi më çnjerëzor të luftës. Ajo u përdhunua në sy të vajzave të saja të vogla, përkatësisht tre dhe një vjeç. Forcat e Millosheviqit i kryen këto akte mizore në sytë e fëmijëve të vegjël sepse donin të siguroheshin që lëndimi dhe dhimbja të përfshijë gjenerata – donin të vrisnin shpirtin e një populli që gjithmonë ngrihej për paqen, lirinë dhe demokracinë. Megjithatë, ata dështuan”, tha Osmani.
Teksa Vasfija, Shyretja dhe vajzat e saj ende përballen me traumën e luftës, sipas Osmanit, ato janë të palëkundura në angazhimin e tyre “për të mos lënë gur pa lëvizur për t’u siguruar që të tjerët të mos e përjetojnë kurrë atë që përjetuan dhe që drejtësia të vihet në vend”.
“Ato kanë zgjedhur veprimin në vend të dëshpërimit. Kanë zgjedhur t flasin, të avokojnë kundër stigmës, duke mbledhur një shtet të tërë rreth kauzës së tyre dhe duke punuar pa u lodhur jo vetëm drejt ndjekjes së drejtësisë, por edhe për të përforcuar zërat e të mbijetuarve të dhunës seksuale të kohës së luftës në Kosovë dhe kudo”, tha Osmani.
Ajo tha se do të vazhdojnë të përsërisin se “mbajtja e autorëve përgjegjës për këto akte të tmerrshme është në përgjegjësinë tonë morale. Mirëpo numri i rasteve kur Serbia ka vendosur prapa grilave autorët e përdhunimit gjatë kohës së luftës është zero. Për shkak të kësaj lufte të neveritshme, pothuajse në çdo cep të vendit tim do të përballeni ende me shumë nuance të pasojave të luftës”, tha ajo.
Average Rating