Osmani dhe Kurti takim me sekretarin amerikan, Antony Blinken

Read Time:10 Minute, 40 Second

Zyra e Kryeministrit në një komunikatë për medie ka shpalosur të gjitha temat që u diskutuan në takimin e mbrëmshëm të presidentes, Vjosa Osmani dhe kryeministrit, Albin Kurti me sekretarin amerikan të shtetit, Antony Blinken.

Fillimisht bëhet e ditur se sekretari Blinken theksoi partneritetin e qëndrueshëm midis Shteteve të Bashkuara dhe Republikës së Kosovës dhe i falënderoi liderët për mbështetjen e tyre të fuqishme në çështje me rëndësi për Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai shprehu mirënjohje për pranimin e afganëve në Kosovë, mbështetjen për Ukrainën që nga ditët e para të fillimit të agresionin rus atje, si dhe punën e përbashkët në aspekte tjera.

Duke shprehur mirënjohjen e popullit të Kosovës për mbështetjen e ShBA-së, në takim u vlerësua lart partneriteti dhe aleanca ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Republikës së Kosovës. U theksuan raportet bilaterale shtetërore të shkëlqyeshme dhe mundësitë për avancimin e tyre, veçanërisht në rrafshin ekonomik, me shtim të investimeve dhe me rritje të shkëmbimeve tregtare.

Kryeministri Kurti theksoi se Republika e Kosovës është rrëfim suksesi i dyfishtë, i punës dhe qëndrueshmërisë së popullit dhe ndërhyrjes së NATO-s për ta ndalur gjenocidin e Serbisë në Kosovë, dhe së dyti, është rrëfim suksesi i një demokracie cilësore e cila shkon bashkë me zhvillimin ekonomik.

U bisedua për qeverisjen e mirë, luftimin e krimit dhe korrupsionit, zhvillimin ekonomik dhe mbështetjen sociale si përgjigje ndaj nevojave të qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Në takim u diskutua për demokratizimin e rajonit si dhe fuqizimin e aleancave për t’u ballafaquar me ndikimet dhe rreziqet që i kanosen rajonit të Ballkanit Perëndimor. Anëtarësimi i Kosovës në Programin Partneriteti për Paqe të NATO-s, si dhe ngritja e aftësive dhe kapaciteteve mbrojtëse dhe të sigurisë së Kosovës, u tha se do t’i kontribuonte paqes së qëndrueshme dhe stabilitetit afatgjatë të mbarë rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Duke vlerësuar bashkëpunimin e mirë me ShBA-në në NATO, u theksua se mbrojtja është një fushë në të cilën Kosova e ka rritur ndjeshëm buxhetin. Synojmë që siguria e Kosovës të ketë për partner edhe të padiskutueshëm por edhe gjithnjë më të fuqishëm ShBA-në, tha Kryeministri Kurti.

U diskutua për rëndësinë e dialogut të lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me njohjen reciproke në qendër , në rrugën drejt integrimeve euroatlantike.

“Në takim u ritheksua që Republika e Kosovës deri më tani është angazhuar në mënyrë konstruktive dhe kreative në procesin e dialogut, dhe se është e përkushtuar për arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme që në qendër ka njohjen reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit.

Haradinaj mirëpret mbështetjen e ShBA-ve për Kosovën përmes fondit të MCC-së

(E plotësuar: data: 27.07.2022, ora: 12: 30)Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka mirëpritur mbështetjen e ShBA-ve për Kosovën përmes fondit të MCC-së.

Përmes një reagimi në llogarinë e tij në Facebook, Haradinaj ka përshëndetur takimin e delegacionit të Kosovës me Sekretarin Blinken. ”Mirëpres mbështetjen e ShBA-së për Kosovën përmes fondit të MCC-së dhe takimin e delegacionit të Kosovës me Sekretarin Blinken. ShBA, edhe njëherë ka treguar lidershipin e saj në ndihmën ndaj Kosovës, si në aspektin ekonomik ashtu edhe në procesin e dialogut. ”, ka shkruar Haradinaj.

Ai ka thënë se tani është koha për njohjen reciproke në mes Kosovës dhe Serbisë. “Tani është koha për marrëveshjen finale me njohjen reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nën udhëheqjen e ShBA-ve.”, ka përfunduar Haradinaj.

Ambasadori Hovenier vlerëson takimin e Osmanit dhe Kurtit me Blinkenin

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier, ka shkruar për takimin që patën dje presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti më sekretarin amerikan, Antony Blinken.

“Dje, Sekretari Blinken takoi presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurtin për të diskutuar fushat kryesore të bashkëpunimit tonë të ngushtë. Vizita është një tjetër reflektim i partneritetit të qëndrueshëm ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës”, ka shkruar Hovenier në Twitter, duke shpërndarë edhe shkrimin e sekretarit Blinken që shkroi me herët në Twitter.

Blinken deklarohet pas takimit me Osmanin e Kurtin

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken ka shkruar në Twitter për takimin që e pati me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti në Departamentin e Shtetit në Washington D.C.

Blinken përmes Twitterit tha se SHBA-të mbështesin integrimin euroatlantik dhe ndërkombëtar të Kosovës si dhe dialogun me Serbinë.

“U takova sot me presidenten Osmani dhe kryeministrin e Kosovës, Kurti. Shtetet e Bashkuara mbështesin integrimin euroatlantik dhe ndërkombëtar të Kosovës dhe dialogun Kosovë-Serbi të lehtësuar nga BE-ja. Ne vlerësojmë mikpritjen e Kosovës për afganët dhe mbështetjen e saj të fortë për Ukrainën”, shkroi Blinken.

Ndryshe sot krerët e shtetit do të marrin pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të Marrëveshjes së Programit Kompakt me Korporatën e Sfidave të Mijëvjeçarit-MMC.

Osmani e Kurti e vlerësojnë të shkëlqyeshëm takimin me sekretarin Blinken

Dy krerët e shtetit, presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti e kanë vlerësuar si të shkëlqyeshëm takimin me sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken në Departamentin e Shtetit. Ata kanë thënë se me sekretarin Blinken kanë disktuar për temat që kanë të bëjnë me suksesin e vendit tonë dhe të ardhmen e tij, por edhe për dialogun Kosovë-Serbi.

Sipas tyre edhe në këtë takim është rinkonfirmuar qëndrimi i SHBA-së që procesi i dialogut të jetë i përqendruar në marrëveshje për njohje reciproke.

“Para sekretarit Blinken paraqitëm reformat që janë duke u ndërmarrë në Republikën e Kosovës dhe sfidat me të cilat ballafaqohemi. Në përgjithësi ishte një takim i shkëlqyeshëm, ku edhe një herë u rinkonfirmua se Kosova nuk ka mik më të madh, më të mirë e më të fuqishëm se SHBA-të“, ka theksuar presidentja Osmani pas takimit.

Ajo tutje ka thënë se Kosova përgjatë historisë së saj nuk ka pasur partner më të fuqishëm se sa SHBA-të dhe se mbështetja e Amerikës ka qenë ekzistenciale në fazat e ndryshme të historisë dhe mbetet e tillë edhe sot.

“Sepse pa përkrahjen e Amerikës nuk mund të kemi sukses as në rrugën tonë në anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare, që janë synim i përhershëm. Kemi diskutuar për fuqizimin e subjektivitetit dhe mënyrën se si Kosova fuqizohet në arenën ndërkombëtare nëpërmjet njohjeve, nëpërmjet organizatave ndërkombëtare dhe anëtarësimit në to”, ka shtuar Osmani.

Ajo tutje ka thënë se në takim është diskutuar se sa e rëndësishme është që Kosova të jetë në NATO, pastaj për rolin jashtëzakonisht konstruktiv që Kosova po luan në dialogun me Serbinë, e që sipas saj kanë hyrë në detajet e secilës marrëveshje që është propozuar e që Kosova i ka nënshkruar.

“Siç e dini SHBA-të si partner që mbështesin pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial dhe gjithnjë kanë qenë të zëshëm në këtë drejtim, por mbi të gjitha është me rëndësi ta potencojmë se si presidenti Biden ashtu edhe sekretari Blinken kanë qenë të qartë që procesi i dialogut të jetë i përqendruar në njohje reciproke, gjë e cila është konfirmuar edhe sot gjatë këtij takimi, ku ne kemi pasur mundësinë tonë që në detaje ta informojmë për qëndrimet tona për propozimet tona dhe për rolin konstruktiv dhe për faktin që çdo kontribut i Kosovës ka qenë për më shumë paqe dhe më shumë stabilitet në të gjithë rajonin tonë“, ka nënvizuar presidentja.    

Ndërkaq, kryeministri Kurti takimi me sekretarin Blinken e ka vlerësuar të “përzemërt e fort të dobishëm për raportet e shkëlqyeshme midis Republikës së Kosovës dhe SHBA-së“.

“Ne treguam se si Kosova është një rrëfim suksesi në mënyrë të dyfishtë. Së pari rrëfim suksesi i punës dhe qëndrueshmërisë së popullit të Kosovës dhe i ndërhyrjes së NATO-s për ta ndalë gjenocidin e Serbisë në Kosovë dhe së dyti është rrëfim suksesi i një demokracie cilësore e cila shkon bashkë me zhvillimin ekonomik. Pra në kontrast me disa fuqi tjera nëpër botë që dëshirojnë të tregojnë se për zhvillim ekonomik demokracia nuk është e nevojkshme, shteti jo i madh i Kosovës është një shembull i madh se zhvillimi ekonomik dhe demokracia cilësore shkojnë bashkë“, ka thënë Kurti.

Ai tutje ka thënë se në këtë takim kërkuan nga sekretari Blinken shtimin e investimeve amerikane në Kosovë, por gjithashtu rritjen e shkëmbimit tregtar midis dy vendeve.

“Edhe në NATO ne kemi bashkëpunimin shumë të ngushtë me SHBA-të për shkak se mbrojtja është një fushë në të cilën Kosova e ka rritur ndjeshëm buxhetin dhe synojmë që siguria e Kosovës, që është jo vetëm siguri e shtetit dhe popullit por edhe siguri e progresit të arritur, ta ketë për partnerë të padiskutueshëm por edhe gjithnjë e më të fuqishëm pikërisht SHBA-në“, ka shtuar Kurti.

https://www.facebook.com/plugins/video.php?height=314&href=https%3A%2F%2Fwww.facebook.com%2Frtklivecom%2Fvideos%2F1052153222097051%2F&show_text=true&width=560&t=0

Blinken: Kosova partner i palëkundur i SHBA-së

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken në hapje të takimit me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti, ka thënë se Kosova është partnere e palëkundur e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ai ka thënë se dy shtetet kanë një histori të gjatë, teksa ka falënderuar Kosovën për pritjen e refugjatëve afganë dhe për mbështetjen e Ukrainës pas agresionit rus.

“Kosova është partnere e palëkundur dhe e rëndësishme e SHBA-së. Ne jemi duke punuar së bashku për të përcaktuar disa çështje të rëndësishme për SHBA-të dhe shtetin tuaj. Ju falënderoj edhe një herë që i keni mirëpritur afganët. Po ashtu, kemi parë mbështetje që nga dita e parë për Ukrainën. Kemi punuar edhe në aspektet tjera. Presidente e çmoj lidershipin tuaj. Nesër do të nënshkruani kontratën me MCC për energji. Kemi bashkëpunuar për të gjitha këto çështje dhe kemi punuar në çështjet kritike të sigurisë rajonale. Faleminderit që keni ardhur, është nder dhe kënaqësi të ju mirëpresim në Departamentin e Shtetit”, ka thënë Blinken.

Ndërkaq presidentja Osmani ka falënderuar sekretarin Blinken në emër të popullit të Kosovës, jetën e të cilëve ka thënë ajo e ka shpëtuar Amerika.

„Partneriteti me SHBA-në nuk është vetëm i domosdoshëm por ka qenë ekzistencial për ta arritur lirinë tonë. Vazhdon të jetë ekzistencial edhe sot e kësaj dite. Kosova është demokraci në zhvillim dhe kjo tregon çka mund të arrijë bota demokratike e udhëhequr nga SHBA kur të përballet me tiraninë dhe sigurihet që liria mbizotëron ndaj tiranive dhe regjimeve të tilla. Ashtu siç keni qëndruar pran nesh, sot jeni me Ukrainën. Dëshiroj të ju siguroj në emër të Kosovës që populli i Kosovës qëndron me Ukrainën, siç e kemi treguar duke miratuar sanksione ndaj Rusisë në ditën e njëjtë kur i kanë miratuar edhe SHBA dhe BE”, ka shtuar Osmani.

Ajo tutje ka theksuar se po ashtu u kanë bërë thirrje edhe shteteve në rajon që ta bëjnë të njëjtën gjë, derisa ka thënë se së bashku me SHBA-të dhe BE-në kanë parandaluar përpjekjet e Rusisë për destabilizim të rajonit.

“Siç e dini Vladimir Putin ka bërë përpjekje që të destabilizojë Ballkani Perëndimor, por ne vazhdojmë të mbesim aleatë me SHBA-në dhe BE-në për t’u siguruar që këto gjëra t’i ndalim në rajon. Prandaj, jemi të lumtur të punojmë me ju, për të punuar në front për të mbrojtur demokracinë dhe vlerat tona të përbashkëta. Së bashku me kryeministrin ju mirëpresim për të diskutuar reformat në veçanti në sundimin e ligjit të cilat po i adresojmë në vendin tonë dhe ju falënderojmë shumë për mbështetjen tuaj në çdo hap që kemi bërë deri më tani. Njëkohësisht ju falënderojmë për mbështetjen që e kemi pranuar nga SHBA-të në fushën e mbrojtjes, pasi FSK është duke shkuar krahpërkrah me ushtrinë amerikane në misionet paqëruajtëse. Kosova është realitet i pakthyeshëm që ju e keni ndihmuar që të krijhohet. Ne do të punojmë së bashku me SHBA-të dhe shtetet tjera demokratike në botë për të skiguruar që ky realitet të forcohet edhe më tutje dhe për të siguruar që pozita ndërkombëtare e Kosovës të forcohet dhe ta fitojmë vendin tonë në komuniteti veri-atlantik“, ka thënë presidentja Osmani.

Pas nisjes së takimit Blinken – Osmani dhe Kurti

Ka nisur takimi ndërmjet sekretarit amerikan Antony Blinken me  presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti. Ky është takimi i parë i përbashkët i këtij formati në Departamentin e Shtetit, në Uashington D.C.

Sipas agjendës takimi pritet të përfundojë brenda një ore dhe pas takimit do të ketë një prononcim për media.

Ndërkohë, të mërkurën, krerët e shtetit do të marrin pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të Marrëveshjes së Programit Kompakt me Korporatën e Sfidave të Mijëvjeçarit-MMC.

https://www.facebook.com/plugins/video.php?height=314&href=https%3A%2F%2Fwww.facebook.com%2Frtklivecom%2Fvideos%2F4965601906902570%2F&show_text=false&width=560&t=0

/RTK/

Happy
Happy
0 %
Sad
Sad
0 %
Excited
Excited
0 %
Sleepy
Sleepy
0 %
Angry
Angry
0 %
Surprise
Surprise
0 %

Average Rating

5 Star
0%
4 Star
0%
3 Star
0%
2 Star
0%
1 Star
0%

Leave a Reply

Previous post Salihu: Nga data 01 deri më 31 tetor 2022 nis procesi i regjistrimit të Popullsisë në Luginë të Preshevës
Next post Kamberi falemnderon Lobin Shqiptaro-Amerikan për mbështetjen ndaj tij dhe shqiptarëve në Luginë të Preshevës