Miroslav Lajçak tregon se çka foli në takime me Osmanin, Kurtin dhe opozitarët
Miroslav Lajçak thotë se me presidenten folën për rëndësinë e shmangies së tensioneve të reja e me kryeministrin dhe zëvendësin e tij, Bislimi patën biseda të thella lidhur me takimin e nivelit të lartë të javës që shkoi.
Emisari special i BE-së për dialogun Kosovë -Serbi ka treguar përmes një shkrimi në Twitter se për çfarë folën në Presidencë e Qeveri kur takuan bashkë me emisarin amerikan, Escobar, presidenten, Vjosa Osmani e kryeministrin Albin Kurti.
“ Fillova sot misionin e përbashkët me DAS Escobar në Kosovë, me një diskutim thelbësor me presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani. Ne folëm për rëndësinë e shmangies së tensioneve të reja në veri të Kosovës”.
Gjithashtu Lajçak ka treguar edhe për takimin që ka pasur në objektin qeveritar me shefin Qeverisë, Albin Kurti.
“Me kryeministrin Albin Kurti dhe zëvendëskryeministrin, Besnik Bislimi patëm një bisedë të thellë lidhur me takimin e nivelit të lartë të javës së kaluar, duke përfshirë edhe lirinë e lëvizjes si dhe rrugën përpara të Kosovës përmes dialogut”, ka shkruar Lajçak.
Të dy emisarët përveç takimeve me liderët shtetëror kanë zhvilluar takim edhe me liderët opozitar.
“Sot në Kosovë unë gjithashtu takova edhe liderët e opozitës, për të diskutuar me ta mbi dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Unë e mirëprita mirëkuptimin e tyre dhe mbështetjen për dialog, për normalizimin e marrëdhënieve në interes nacional për Kosovën”, ka shkruar Lajçak.
Escobar e Lajçak: Besojmë në zgjidhje, jemi optimistë
Emisari amerikan ka thënë se palët në takime i kanë siguruar se nuk duan përshkallëzim, derisa Lajçak ka folur për shqetësimin që ka komuniteti ndërkombëtar. Sipas tij ajo që u pa me 31 korrik nuk duhet lejuar të përsëritet më 31 gusht.
Pas takimeve që patën në Presidencë e Kryeministri, bashkë me të dërguarin e posaçëm të BE-së, Miroslav Lajçak, emisari nga Amerika Gabriel Escobar tregoi se janë siguruar nga palët se nuk duan përshkallëzim, nuk duan dhunë më 1 shtator.
“Mendimi im i vetëm është se unë jam këtu për të dhënë mbështetjen për të gjetur një rrugë përpara për të gjitha këto çështje të vështira. Detajet se si shkojnë përpara janë në të vërtetë për dialogun, por unë do të doja të sigurohesha që njerëzit ta kuptojnë që vizita ime këtu ishte në të vërtetë për të treguar mbështetjen e plotë për dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Të dyja palët na kanë siguruar se nuk duan përshkallëzim, nuk duan dhunë më 1 shtator. Pra tani jemi këtu për t’u siguruar që të gjitha ato dëshira të mira dhe i gjithë ai optimizëm të përkthehen në një propozim konkret”.
Ndërkohë Lajçak ka treguar për shqetësimin ndërkombëtar rreth situatës. Tha se 31 korriku nuk duhet lejuar të përsëritet më 31 gusht.
“Komuniteti ndërkombëtar është shumë i shqetësuar për atë që pamë në terren me 31 korrik dhe presim që të gjithë ne së bashku negociatorët, lidershipi i Kosovës dhe lidershipi i Serbisë të mos lejojnë që kjo të përsëritet me 31 gusht dhe kjo është arsyeja pse ne jemi këtu. Ne jemi këtu për t’u siguruar se asgjë e keqe nuk do të ndodhë. Nuk po flas për detaje dhe shpresoj ta kuptoni. Unë jam optimist dhe kjo është arsyeja pse jam këtu, nëse nuk do të besoja se ka zgjidhje as nuk do të vija. Siç thash ky ishte takim i rëndësishëm dhe i dobishëm, por të shohim pas këtij takimi, do të ishte shumë herët për të dhënë një përfundim në këtë moment, por ishte një takim shumë i mirë”.
Qeveria tregon çka u fol në takimin e kryeministrit me emisarët
Qeveria e Kosovës ka dalë me njoftim për takimin e kryeministrit Albin Kurti me emisarët, Gabriel Escobar dhe Miroslav Lajçak.
Disa orë pas takimit, nga Qeveria e Kosovës kanë lëshuar njoftim për media rreth asaj se çfarë bisedoi kreu qeveritar me dy emisarët nga Amerika dhe Evropa.
“Republika e Kosovës ka treguar vullnetin dhe gatishmërinë e saj për tu angazhuar në një dialog parimor dhe të përgatitur mirë drejt një marrëveshje që në qendër ka njohjen reciproke. Marrëveshja duhet të ketë në qendër njohjen reciproke, deri te marrëveshja, reciprocitetit duhet të jetë fryma e dialogut”, thuhet në komunikatën qeveritare.
Siç bëhet e ditur, kryeministri i ka falënderuar emisarët Escobar dhe Lajçak për angazhimin e tyre në shmangien e tensioneve të krijuara artificialisht nga ana e Serbisë dhe në normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë.
Krasniqi pas takimit me emisarët: Përshkallëzimi i situatës, të evitohet
Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi ka shkruar për takimet që ka zhvilluar me emisarin e Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe atij nga Evropa, Miroslav Lajçak.
Krasniqi ka treguar se në të dyja këto takime temë ishin e zhvillimet rreth procesit të Dialogut për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Në këto takime kam shprehur qëndrimin konsistent të PDK-së në mbrojtje të interesave të shtetit tonë, duke theksuar nevojën për respektim të vendimeve të ligjshme që sigurojnë reciprocitet në raport me Serbinë, si dhe sundimin e ligjit dhe lëvizjen e lirë të të gjithë qytetarëve tanë në gjithë territorin e Republikës së Kosovës”, ka shkruar Krasniqi.
Tutje kreu i PDK-së ka treguar se në takime ka shprehur bindjen se përshkallëzimi i situatës në veri të vendit duhet të evitohet dhe për këtë ka shkruar ai, kërkohet angazhimi i të gjitha palëve.
“Koordinimi i vazhdueshëm i Kosovës me partnerët ndërkombëtar është i domosdoshëm. Në procesin e Dialogut ne i kemi dhënë hapësirën e nevojshme Kryeministrit dhe Qeverisë për të kryer detyrat e tyre në mbrojtje të interesave të vendit, duke konsideruar se ky proces është i pa alternativë për arritjen e paqes dhe përmbylljen e konfliktit të ngrirë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Sepse, Dialogun me Serbinë asnjëherë nuk e kemi parë si betejë të brendshme politike. Por, mungesa e transparencës nga ana e Kryeministrit është e dëmshme për arritjen e qëllimeve të Kosovës. Qytetarët kanë të drejtë të plotë që të dinë se cilat janë pozicionet e Qeverisë për të gjitha çështjet që po diskutohen në kuadër të Dialogut”, ka shkruar kryetari i PDK-së.
Tutje sipas Krasniqit, prioritet i Kosovës duhet të jetë marrëveshja finale që sjellë njohjen e ndërsjellë dhe anëtarësimin në OKB, NATO dhe BE, duke ruajtur sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit.
/RTK/
Average Rating