Letër nga Vatikani, me porosi nga Papa Françesko
LAJM I GËZUAR NGA PAPA FRANCESKU I CILI NA SIGURON LUTJE QË TË REALIZOHEN DËSHIRAT E MIRA ME PËRSHËNDETJE E PLOT BEKIME DUKE NDJEKUR ME VËMENDJE TË VEÇANTË NGJARJET
SUEDI/FÖRSLÖV, më 5 tetor 2023
Pasi erdha nga pushimet që isha në Dardani dhe troje etnike shqiptare, në mesin e shumë shkresave, e gjeta edhe shkresën nga Vatikani, nga Imzot Roberto Campisi, Funksionar ndihmës, e cila letër më gëzoi pa masë sidomos kur lexova mirënjohjen e Papa Françeskut, ku shkruan, citat: ”Shenjtëria e Tij shpreh mirënjohjen e sinqertë për gjestin e kujdesshëm dhe për ndjenjat, që e nxitën atë e, ndërsa siguron lutje që të realizohen dëshirat e mira, që secili ruan në zemrën e vet, ju dërgon përshëndetjet e tij plot bekime”, fund citati.
Për më hollësisht e keni letrën e dërguar nga Papa Françesku:
Përzemërsisht ju falënderojmë Shenjtëria e Juaj Papa Françesku dhe Imzot Roberto Campisi, Funksionar ndihmës, në Vatikan.
Në emër të Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI Albani”, Suedi, Hysen Ibrahimi, Kryetar.
Në vazhdim po shpalosim lutjen dërguar Papa Françeskut:
SHENJTËRISË SË TIJ PAPA FRANCESKUT
PALLATI APOSTOLIK – VATIKAN
LUTJE: Shenjtërisë Suaj dhe Institucionit që Ju e përqafësoni, të njohë Republikën e Kosovës si shtet me të drejta të plota si dhe shtetet e tjera të Evropës dhe të botës.
SUEDI/FÖRSLÖV, më 20 mars 2023
Shenjtëri, Papa Francesku,
Duke ju uruar shëndet sa më të mirë dhe jetë të gjatë, kemi nderin t`Ju prezantohemi: Jemi Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë „Papa Klementi XI Albani“, Suedi e cila është themeluar më datë 26 nëntor 2011.
I jemi mirënjohës shtetit suedez që na mbështeti edhe ne shqiptarët e Kosovës, si dhe shumë popuj të tjerë që kanë vuajtur dhe janë keqtrajtuar nga gjenocidi racist serb. Tashmë po shërojmë plagët e së kaluarës dhe po përhapim sa mundim paqen dhe miqësinë.
Dëshiroj t`Ju them se ndihemi të nderuar që komuniteti shqiptar këtu, ka themeluar shoqatën e shkrimtarëve, e cila mban emrin e nderuar të “Papa Klementi XI Albani”, i vlerësuar si një Papë i madh. Ne shqiptarët krenohemi me emrin dhe me veprën e tij. Duke qenë në krye të Vatikanit, në kohën e vetë (1700/1721), Papa klementi XI Albani ka ndihmuar në përhapjen dhe rrënjosjen e Krishterimit në zemrat e njerëzve, po ashtu dhe paqen dhe humanizmin, sikurse më parë këtë e ka bërë heroi ynë kombëtar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, i cili për shërbimet e mëdha u shpall Atletë i Krishterimit. Në vazhdim të ideve dhe punëve të çmuara të Gjergj Kastriotit dhe Papa Klementit të XI, Albani, si dhe shumë pesronaliteteve të tjerë të botës së qytetëruar dhe të civilizuar, ishte edhe Shën Nënë Tereza, që punoi aq shumë për t`i shërbyer paqes, harmonisë dhe dashurisë mes njerëzve.
Shenjtëri!
Ndaj Jush njerëzit mund të drejtojnë shumë letra, mbi të gjitha duke ju uruar dhe dëshiruar sa më shumë shëndet të plotë, mbarësi dhe begati sepse emri dhe vepra Juaj e ndritshme përbën shpresë dhe besim për paqen në botë. Këtë letër, e shkruajmë në emër të Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI Albani”, Suedi, dhe po Ju drejtohem me një lutje të veçantë, të sinqertë dhe plot besim: I
LUTEMI
Shenjtërsisë Suaj dhe Institucionit që Ju e përqafësoni, të njohë Republikën e Kosovës si shtet me të drejta të plota si dhe shtetet e tjera të Evropës dhe të botës. Siç dëshirojnë shtetet e mëdha të kenë të drejtat dhe liritë e tyre, edhe shtetet e vegjël e kanë këtë të drejtë, e cila fillon nga njohja si të barabartë, në mënyrë që edhe i vogli, ashtu si dhe i madhi, të tregojë dhe të prezantojë veten përpara shoqërisë njerëzore dhe Zotit.
Shpresojmë shumë tek Ju, sepse keni krijuar një besim të veçantë tek ne shqiptarët, kudo ku jetojmë, në Shqipëri, në Kosovë, kudo në troje tona, si dhe në diasporë. E mbajmë lart emrin e paraardhësit Tuaj, Papa Klementi XI Albani, i cili sikurse Ju, na bënë të ndihemi krenarë përpara botës dhe Zotit.
Ju Shenjtëri Jeni nga ata njerëz që i kuptoni më mirë se askush tjetër vuajtjet njerëzore, Ju luteni vazhdimisht për ta dhe i mbështetni kudo dhe kurdoherë në të drejtat dhe liritë e tyre që ua ka dhënë Zoti.
Ndaj, Shenjtëri, lutem të ndikoni në njohjen nga Vatikani të shtetit tonë. Ne lutemi tek Ju, sepse kështu i Lutemi Zotit tonë të Madh.
Me shumë shpresë dhe besim se kjo letër modeste do të jetë një nxitje për njohjen nga ana Juaj të shtetit të Kosovës.
Ju falënderojmë, Hirësi, ne jemi të lidhur pazgjidhmërisht me Ju, sepse ju jeni rruga për tek Zoti.
Faleminderit!
Hysen Ibrahimi, Kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI Albani”, Suedi.
Average Rating