Presidentja e Kosovës sot filloi vizitën shtetërore në Shqipëri

Read Time:7 Minute, 5 Second

Me ftesë të presidentit të Shqipërisë, Bajram Begaj, presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani sot fillon vizitën shtetërore dy ditore në Shqipëri, gjatë së cilës do të pritet me nderime të larta shtetërore nga homologu i saj, Begaj.

Tirana zyrtare i bëri të gjitha përgatitjet për ta pritur me nderime të larta shtetërore, presidenten e Republikës së Kosovës, zonjën,Vjosa Osmani-Sadriu.

Rrugët kryesore janë stolisur me flamujt e të dyja vendeve.

https://www.facebook.com/watch/?v=982856706334468

Ora 10:15 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është pritur me nderime të larta shtetërore nga homologu i saj, Bajram Begaj.

Ata më pas do te dalin në një konferencë për shtyp në orën 11:40. Ndërkaq takimin me kryeministrin Rama, Osmani pritet ta fillojë në orën 12:30, e më pas Osmani do të pritet në takim edhe nga kryetarja e Kuvendi të Shqipërisë, Lindita Nikolla.

https://www.facebook.com/watch/?v=863795255172319

Begaj: Me gjithë provokimet serbe, Kosova të koordinohet me SHBA-të dhe BE-në

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, tha se me Osmanin kanë diskutuar për tema të ndryshme, duke forcuar partneritetin strategjik, raporton RTKlive.

“Marrëdhëniet Shqipërisë e Kosovës janë shumë të mira. Askush nuk ka pse çuditet se pse Kosova është prioritet kombëtar i Shqipërisë, i rikonfirmova presidentes mbështetjen për Kosovën”, tha ai në konferencën e përbashkët me Osmanin. Begaj, tha se Kosova është tregu i dytë për eksportet Shqipërisë.     

Begaj foli edhe për veriun e Kosovës, ku potencoi se duhet koordinimi me aleatët tanë. Ai ka vlerësuar hapat e qeverisë së Kosovës për de përshkallëzimin e situatës në veri.

Presidenti Begaj, ka deklaruar se pavarësisht provokimeve që vjen Serbia, Kosova duhet të koordinohet me partnerët strategjikë si Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian për situatën në veri të Kosovës.

Gjatë konferencës së përbashkët për mediat me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, Begaj theksoi se dialogu i “ndërmjetësuar nga BE dhe i mbështetur nga Shtetet e Bashkuara është rruga e vetme drejt paqes si dhe anëtarësimit të Kosovës në organizatat rajonale dhe ato ndërkombëtare”

“Bashkërendimi i politikave dhe veprimi i të gjithë institucioneve tona duhet të jetë një objektiv i qëndrueshëm dhe parësor pasi kështu krijojmë të gjitha premisat që faktori shqiptar të konsolidohet si faktor strategjik dhe stabiliteti në rajon. Jashtë vëmendjes nuk mund të mbeteshin zhvillimet në veriun e Kosovës. Pavarësisht provokimeve për të tensionuar situatën në komunat me shumicë serbe në veriun e Kosovës dhe ndërhyrjet hibride nga aktorë të tretë dashakeqës, duhet një koordinim më i mirë me partnerët tanë kryesorë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian për të gjitha veprimet e ndërmarra”, tha ai.

Sipas tij, askush nuk mund të vendosë në pikëpyetje sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës por koordinimi me partnerët është i domosdoshëm.

“Dialogu i ndërmjetësuar nga BE dhe i mbështetur nga Shtetet e Bashkuara është rruga e vetme drejt paqes si dhe anëtarësimit të Kosovës në organizatat rajonale dhe ndërkombëtare përfshirë edhe atë të organizatës së Kombeve të Bashkuara. E sigurova zonjën Osmani për mbështetjen e plotë dhe angazhimin e Shqipërisë për të kontribuar me çdo mjet me të gjitha mundësitë e saj në mënyrë konstruktive në funksion të këtij dialogu”, u shpreh Begaj.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, pas takimit që ka pasur më homologun shqiptar, tha tek Shqipëria sheh mbështetjen e palëkundur për Kosovën. Ajo tha se Shqipëria ka mbështetur Kosovën në momentet të vështira, pro edhe të procesion e shtet formimit dhe shtet ndërtimit.

“Kosova dhe Shqipëria kanë një lidhje unike, historike, kulturore e kombëtare që e bën bashkëpunimin dhe lidhjen tonë të fortë e të pathyeshme. Përballë sfidave ne qëndrojmë të bashkuar duke u bashkuar në një qëllim: stabiliteti, prosperiteti dhe integrimi euroatlantik i vendeve tona”, tha ajo.

Sipas saj Kombi shqiptar gjithmonë ka qenë dhe vazhdon të mbetet faktor stabiliteti në rajon, me orientim të qartë euroatlantik,” u shpreh Osmani.

“Kosova nuk njihet nga të gjitha shtetet ndërkombëtarisht, ndaj presidentja Osmani theksoi nevojën për mbështetjen nga Shqipëria, për të qenë zëri i saj në instancat ku Kosova ende nuk përfaqësohet. Synim shtetëror e strategjik yni mbetet anëtarësimi në NATO dhe në BE, si dhe në të gjitha organizatat e tjera ku kemi interes shtetëror. Fuqizimi i koordinimit të vazhdueshëm në politikën e jashtme është në dobi jo vetëm të shteteve tona, por edhe të rajonit më gjerë. Prandaj edhe kryefjala e vizitës sime është bashkërendimi për një strategji dhe veprim të unifikuar të politikës së jashtme,” deklaroi Osmani.

Osmani tha se ato synojnë fuqizimin e shteteve tona dhe lehtësimin e jetëve të qytetarëve.

“Shteti i Kosovës, sikurse edhe Shqipëria, e kanë të qartë orientimin proeuropian dhe euroatlantik. Jemi përkrah Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të Bashkimit Europian dhe vendeve demokratike, jo vetëm sa i përket zhvillimeve në rajon, por në gjithë kontinentin tonë, sidomos me sfidat që po përballemi si kontinent në këto dy vitet e fundit. Ne jemi të vendosur për të kontribuar në funksion të paqes dhe stabilitetit, dhe të mbrojmë së bashku vlerat që po rrezikohen dhe atakohen nga Rusia dhe satelitët e saj në rajon”, tha ajo.

E para e vendit tha se e kemi po ashtu detyrim që së bashku të punojmë për avancimin e interesave të të gjithë shqiptarëve në rajon, të cilëve vazhdimisht u shkelen të drejtat elementare, si atyre që jetojnë në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanovc.

“Përderisa politika shtetërore e Serbisë vazhdimisht po e sfidon integritetin territorial të Kosovës dhe angazhohet në agresion institucional kundër Kosovës në baza të rregullta, ne do të kemi nevojë për përkrahjen e Shqipërisë e po ashtu për përkrahjen e aleatëve dhe partnerëve euroatlantikë. Rruga e vetme që sjell paqe dhe stabilitetin për gjithë rajonin tonë është atëherë kur rezultati përfundimtar do të jetë njohja reciproke dhe ruajtja e integritetit territorial, sovranitetit, rendit kushtetues dhe funksionalitetit të brendshëm të Republikës së Kosovës”, tha presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Rama pret në Kryeministri Presidenten e Kosovës znj. Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pas takimit me homologun Bajram Begaj, është takuar me kryeministrin Edi Rama.

Takimi është zhvilluar me dyer të mbyllura, ndërsa përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, Osmani tha se në fokus në bisedës ishte aspirata për integrimin në Bashkimin Europian të Kosovës dhe Shqipërisë.

“Me Kryeministrin Edi Rama pata një bisedë përmbajtësore rreth aspiratës së përbashkët evropiane të Kosovës dhe Shqipërisë. Duke punuar së bashku, Kosova dhe Shqipëria mund të hapin rrugën për një të ardhme më të ndritshme dhe më të integruar“, shkruan presidentja e Kosovës.

Më herët, Osmani u takua me homologun Bajram Begaj, ku kërkoi që marrëdhëniet Tiranë-Prishtinë të udhëhiqen nga interesi kombëtar.

“Karakteri strategjik i marrëdhënieve midis dy shteteve tona, është me rëndësi të patjetërsueshme dhe me një rol unik për stabilitetin, sigurinë, zhvillimin e qëndrueshëm dhe perspektivën euroatlantike të gjithë rajonit. Theksova gjithashtu, se askush nuk ka pse çuditet, se përse Kosova është një prioritet kombëtar i Shqipërisë. Kjo ka qenë e mbetet devizë e çdo shtetari në Shqipëri, ndaj dhe rikonfirmova edhe njëherë mbështetjen time dhe të shtetit shqiptar për Kosovën kudo, në çdo forum rajonal apo ndërkombëtar.”

Ora 17:10 – Presidentja e Kosovës znj. Osmani pritet nga kryeparlamentarja shqiptare znj. Nikolla

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e konsideron të nevojshme vazhdimin e përkrahjes të delegacionit të Shqipërisë në Asamblenë Parlamentare e Këshillit të Evropës për përfundimin me sukses të trajtimit të kërkesës së Kosovës për anëtarësim në këtë organizatë. Këtë deklaratë Osmani e ka bërë gjatë takimit me kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla.

Sipas presidentes Osmani, diplomacia parlamentare ka rol jetik në promovimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.

Në këtë kontekst, Osmani dhe kryeparlamentarja Nikolla, diskutuan edhe për mundësitë e rritjes së bashkëpunimit ndërmjet organeve legjislative të të dy shteteve si dhe shkëmbimit të përvojave e kapaciteteve.

Sipas presidentes Osmani, ekziston përkushtim i përbashkët për avancimin e interesave të Kosovës dhe Shqipërisë, duke rritur koordinimin dhe bashkërendimin në fushën e politikës së jashtme.

Osmani më tej ka theksuar se integrimi euroatlantik është synimi i përbashkët i të dy vendeve.

Osmani: Serbia gjithnjë acaron situatën në rajonin tonë (12:20)

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, tha se nuk është situata në veri të vendit, ajo që ka acaruar dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Është Serbia ajo që gjithnjë acaron situatën në rajonin tonë nëpërmjet sulmeve të njëpasnjëshme ndaj Kosovës. Nuk ka javë që kalon që dikush nga Serbia nuk gjuan me armë policët e Kosovës që janë në territorin e Republikës Kosovës”, tha Osmani në konferencën për media në Tiranë.

Happy
Happy
0 %
Sad
Sad
0 %
Excited
Excited
0 %
Sleepy
Sleepy
0 %
Angry
Angry
0 %
Surprise
Surprise
0 %

Average Rating

5 Star
0%
4 Star
0%
3 Star
0%
2 Star
0%
1 Star
0%

Leave a Reply

Previous post Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani udhëtoi për vizitë dy ditore në Shqipëri
Next post Besnik Bislimi: Kosova e përkushtuar për mbrojtjen e të drejtave në Luginë